Bulqizë, banori nuk lejohet të investojë në burimet natyrale
Në qendër të fshatit Gjoricë e Poshtme në Bulqizë historikisht ka qenë një burim uji në të cilin mbushte i gjithë fshati. Burimi vijon të jetë edhe në ditët e sotme, madje sa herë ka probleme ujësjellësi, banorët rikthehen të mbushin ujë aty. Burimi i ujit është pranë banesës së Liman Lleshit. Ky i fundit ka tentuar të investojë tek ky burim uji për ta bërë me beton në mënyrë që të jetë i sigurtë uji kur të përdoret. Por Lleshi shton se nuk është lejuar nga autoritetet vendore ku i kanë kërkuar që ai të marrë leje ndërtimi për këtë vepër.
Nga ana tjetër, Liman Lleshi thotë se ky investim, që ai kërkon të bëjë, i shërben gjithë fshatit dhe jo vetëm familjes së tij. Ai shton se për këtë ka kërkuar mbështetjen e Bashkisë Bulqizë por kjo e fundit jo vetëm që nuk e ka mbështetur, por as nuk e ka lejuar ta bëjë investimin privatisht.
Sipas legjislacionit shqiptar, burimet ujore konsiderohen pasuri natyrore publike dhe mbrohen nga Ligji nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”. Ky ligj përcakton se çdo ndërhyrje apo investim në burime natyrore ujore duhet të bëhet vetëm me leje dhe në përputhje me planet e miratuara nga autoritetet përkatëse, me qëllim ruajtjen e interesit publik, shëndetit dhe sigurisë së komunitetit.