Bulqizë, banorët e Valikardhës nuk presin më, investojnë vetë në rrugën e tyre

Bulqizë, banorët e Valikardhës nuk presin më, investojnë vetë në rrugën e tyre

Banorëve të lagjeve “Roxhi” e “Halili” në fshatin Valikardhë të Bulqizës ju ka sosur durimi i pritjes së investimeve nga Bashkia e Bulqizës. Për 35 vite me radhë banorët thonë se janë mashtruar nga të majtë e të djathtë për ndërtimin e rrugës që i lidh me rrugën kryesore të fshatit. Ata shprehen se janë mashtruar në çdo fushatë elektorale, ndërsa pas zgjedhjeve asnjë drejtues vendor pas viteve 90-të nuk duket më aty. Në këto kushte, banorët kanë nisur të investojnë vetë. Ata janë bërë bashkë dhe kanë blerë çimento, hekur e zhavorr dhe kanë nisur punën për shtrimin e rrugës afërsisht 1 kilometër të gjatë. Prej ditësh banorët po punojnë pa ndërprerje për shtrimin e rrugës me beton, duke mos u ndaluar as nga ditët e festave apo në fundjavë. Banorët shprehen se kanë kontribuar thuajse nga 1 milion lekë të vjetra çdo familje. Banorët e këtyre lagjeve në fshatin Valikardhë të Bulqizës, përkundrejt kësaj, kërkojnë që asnjë përfaqësues politik të mos ju shkojë për fushatë elektorale për t’ju kërkuar votën, pasi janë mashtruar prej tyre për 35 vite me radhë e në fund investimin e kanë bërë vetë.