
Fshati Tërnovë e Madhe në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës është ndër fshatrat më të thellë të kësaj njësie. Por në këtë aspekt nuk ka të bëjë vetëm pozicioni gjeografik i tij, por edhe gjendja e degraduar e rrugës. Nga Fushë – Bulqiza deri në Tërnovë të Madhe, nëse ke një makinë të lartë dhe me sistem aktiv katër herë katër, të duhen të paktën 1 orë e 30 minuta edhe pse distanca është vetëm 16 kilometra. Drejtuesit e mjeteve shprehen se lëvizja në këtë aks është shumë e vëshirë për shkak të gropave të mëdha, kanaleve në trase e urave gati në shembje. Për kryetarin e fshatit Tërnovë e Madhe, Agron Zeneli, rruga është problemi më i madh që kanë banorët e fshatit. Ai shprehet se për gjendjen e saj ka vënë në dijeni edhe Bashkinë e Bulqizës, e cila pritet të ndërhyjë. Por shetësuese për Zenelin janë edhe urat të cilat përbëjnë rrezik sidomos për mjetet e mëdha, pasi panelet prej betoni janë larguar nga njëra – tjetra e janë gati në shembje. Stinën e dimrit banorë e fshatit Tërnovë e Madhe thuajse e kalojnë totalisht të izoluar sapo të bjerë dëbora e parë. Terreni i vështirë i rrugës së tyre e bën pothuajse të pamundur hapjen e aksit.