Ndonëse është një sektor jetik për vendin tonë për shkak edhe të relievit e klimës, bujqësia ende nuk është aty ku duhet, të paktën sa i përket vendeve të rajonit. Fermerët shprehen se nuk ka motivim në nivel të duhur për të kultivuar kultura të ndryshme bujqësore. Ata thonë se me çmimet aktuale në treg të farërave, karburantit, e proceseve të tjera bujqësore, kosotoja është shumë e lartë në krahasim me prodhimin. Zeqir Kadiu, nga fshati Shulbatërr i bashkisë Klos, thotë se kjo situatë në të cilën ndodhet bujqësia prej vitesh ka bërë që ajo të braktiset nga të rinjtë, ndërsa këtu ka mbetur vetëm mosha e tretë. Kadiu shton se duhen politika më motivuese për këtë sektor dhe ndihmë konkrete, në mënyrë që bujqësia të lulëzojë si dikur dhe në treg të ketë më shumë prodhime vendase se sa importi.
Ndërkohë, këtë vit pati një sipërfaqe shumë më të ulët e mbjellë me grurë, në krahasim me vitin e kaluar, nisur edhe nga fakti se Ministria e Bujqësisë hoqi subvencionimin për mbjelljen e grurit.