Braktisje masive e fshatrave në Veri, nuk i shpëton as Erebara
Largimit masiv të banorëve nuk i ka shpëtuar as fshati Erebarë në Njësinë Administrative Maqellarë të Bashkisë Dibër. Dikur në këtë fshat jetonin rreth 300 familje, ndërsa sot kanë mbetur rreth 90. Pjesa më e madhe e atyre që nuk janë larguar janë të moshuar dhe familje me nga një pjestar. Erebara është fshat me resurse të mëdha natyrore, dhe shtrihet rrëzë bjeshkëve. Problemet më kryesore të këtij fshati janë të zgjidhura si uji vaditës, uji i pijshëm, asfalti në fshat. Banorët e zonës thonë se largimi i të rinjve ka ardhur për një jetë më të mirë pasi investimet në fshat u bënë me vonesë. Banori Nurim Markeçi shprehet se tokat kanë mbetur djerrë pasi nuk ka kush t’i punojë më. Ai shton se edhe bagëti nuk mban më shumë si dikur fshati, pasi ka mbetur vetëm mosha e tretë, e cila nuk mund të shkojë me to. Fshati Erebarë ndodhet shumë afër rrugës nacionale Maqelllarë – Peshkopi, por as kjo nuk e ka ndihmuar për të mbajtur banorët pa u larguar.