Braçe “shuplakë” ministrit Vengu: Tha se paratë kaluan, por s’janë kërkund!

Braçe “shuplakë” ministrit Vengu: Tha se paratë kaluan, por s’janë kërkund!
Deputeti Erion Braçe ka vënë në shënjestër Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, duke e akuzuar për mungesë fondesh reale për dëmshpërblimet e bujqësisë, pavarësisht deklaratave zyrtare se paratë janë lëvruar. “Ministri i Mbrojtjes tha se paratë janë kaluar për të shlyer këto dëme, por në buxhet nuk i gjej, as në relacion dhe as në seancën që zhvilluam në komision nuk ishin”, u shpreh Braçe, duke theksuar se dëmet kanë prekur si bagëtinë ashtu edhe frutikulturën në zonat më prodhuese të vendit. Braçe pranoi se fondet për bujqësinë janë rritur dhe se realizimi i tyre është thuajse 100 për qind, por shtoi se fatkeqësitë natyrore kanë sjellë një goditje të rëndë për fermerët, ndaj dëmshpërblimet duhet të jenë prioritet. Në vijim, deputeti theksoi se në krahun e shpenzimeve publike vijojnë të ketë mosrealizime të konsiderueshme. Sipas tij, në katër vite janë shënuar rreth 1.2 miliardë lekë mosrealizime, një shumë që përbën një buxhet të plotë të investimeve publike.