Bllokohet shitja e mineralit të kromit? Subjektet nisin pezullimin e aktivitetit
Sektori minerar i kromit në vendin tonë po përballet me një problematikë që po i dëmton të gjithë mineralnxjerrësit. Burime bëjnë me dije se prej të paktën dy muajsh tregu ndërkombëtar është në ngërç për shkak të një problematike që është shfaqur me cilësinë e kromit.
Dyshohet se një nga subjektet më të mëdha mineralnxjerrës në vendin tonë ka paraqitur tek blerësi i huaj cilësi tjetër të përqindjes së kromit nga ajo që kishte deklaruar. Kjo ka bërë që importuesit të stopojnë blerjen e mineralit nga kompanitë shqiptare.
Të gjitha subjektet minerare, kryesisht në zonën e Bulqizës, po përballen me vështirësi dhe gjendje stok të prodhimit. Të kontaktuar nga ana jonë drejtues të disa subjekteve minerare në zonën e Bulqizës dhe Matit u shprehën se ky ngërç i ka detyruar të pezullojnë aktivitetin dhe shumë të tjera janë drejt saj.
Mungesa e shitjes i bën që subjektet të mos kenë mundësi për të paguar stafin e punëtorëve dhe profesioneve të tjera. Ndërkohë, ende nuk dihen shkaqet e sakta të këtij ngërçi ku përflitet që një arsye mund të jetë edhe konfilti i ndezur në Lindjen e Mesme.
Kjo nuk është hera e parë që sektori minerar gjendet në bllokadë, pasi më parë shkak ishte bërë rënia e çmimit në tregun ndërkombëtar, por jo cilësia e deklaruar ndryshe në dokumentacion.