Bllokohet segmenti i rrugës së Arbrit nga Ura e Çerenecit në Maqellarë

0

Segmenti i rrugës së Arbrit nga Ura e Çerenecit në Maqellarë nuk do të mund të jetë më i përdorshëm nga automjetet që lëvizin në drejtim të Peshkopisë apo anasjelltas. Firma e cila ka ndërtuar këtë pjesë të rrugës së Arbrit ka bllokuar të dyja hyrjet e saj. Pranë rreth-rrotullimit në afërsi të Urës së Çerenecit janë hedhur dy grumbuj të mëdhenj rëre që pengojnë hyrjen e automjeteve. E njëjta gjë është bërë edhe pranë rreth-rrotullimit në Maqellarë ku bashkohet rruga e Arbrit me rrugën e Doganës së Bllatës. Banorët e Gjoricës që përfshihen më shumë nga ky segment thanë se rruga ishte bërë burim aksidentesh pasi mjetet lëviznin me shpejtësi të lartë. Sipas tyre, fëmijët e të moshuarit që kalonin tek tokat në anën tjetër të rrugës rrezikonin të përplaseshin nga makinat që lëviznin me shpejtësi të madhe. Ata shprehen se rruga nuk duhet të hapet deri sa të vendoset sinjalistika e nevojshme në të.
Burime pranë firmës ndërtuese të kësaj rruge thanë se vetëm me plotësimin e sinjalistikës do të rikthehet lëvizja e automjeteve në këtë aks. Deri atëherë, të gjithë ata që lëvizin drejt Peshkopisë duhet të përdorin rrugën ekzistuese nga Maqellara – Ura e Topojanit – Shupenzë.