Teksa ndodhemi dy javë para zgjedhjeve të 25 prillit, policia ka goditur rastin e parë të shit-blerjes së votave në Pukë. Në flagrancë është arrestuar shtetasi Vasil Shabani, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në mjetin e tij është gjetur një shumë prej 528 mijë lekë të reja dhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit.
Uniformat blu thonë se Shabani nuk i justifikonte paratë që iu kapën në makinë, ndërsa me to dyshohet se do të blinte vota tek qytetarë të ndryshëm.
Burimet zyrtare të policisë thanë gjithashtu se për këtë çështje u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe drejtuesi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Pukës, shtetasi Demir Syla. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e biznesit të Sylës, policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë votimi, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore me 27 persona dhe numrat e tyre të ID.
Materialet hetimore në ngarkim të Vasil Shabanit dhe Demir Sylës u referuan në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Pukë për për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.
Një ditë më parë, fenomeni i shit-blerjes së votës në vendin tonë u vu në dukje edhe nga ambasadorja suedeze, Elsa Hastad gjatë një takimi me banorë të fshatit Paçram në Shkodër.