“Blindohet” ura e Karicës pas lajmit në “Mat Tv”
Pas shqetësimit të ngritur pak ditë më parë në lidhje me sigurinë e urës së Karicës, pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj ka ardhur edhe reagimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ky institucion ka vendosur prej afro 2 vitesh ndalimin e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë mbi këtë urë, e cila nuk ka më siguri për të përballuar pesha të rënda. Ura në fjalë është futur në projektin 100 milion dollarësh të Bankës Botërore për ndërtimin e urave të reja në disa rrugë nacionale të vendit. Por duke qenë se zbatimi i projektit ka zgjatur prej vitit 2022, në urën e Karicës ishte rikthyer qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, pasi ishin larguar barrierat e betonit. Prej dy javësh pranë urës është stacionuar një postobllok i policisë rrugore, i cili monitoron gjithë kohës lëvizjen e mjeteve dhe ndalimin e kalimit të kampionëve. Për të gjithë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë është vendosur sinjalistikë ndaluese e lëvizjes së këtyre automjeteve në hyrje të rrugës në Skuraj dhe në afërsi të Urës së Matit. Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë mbi urën e Karicës është i ndaluar rreptësisht deri në ndërtimin e një ure të re, por deri tani nuk ka një njoftim zyrtar se kur mund të nisë zbatimi i projektit i cili është gati. Policia rrugore ju bën apel drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë të mos e përdorin aksin Burrel – Skuraj pasi janë në shkelje të sinjalistikës së qarkullimit rrugor.