Bletarët e Dibrës: helmet e pemtoreve po na dëmtojnë bletët
Bletarët e Dibrës ankohen për dëmet që po ju shkaktohen vitet e fundit. Veç motit të ftohtë apo me lagështi që mban në periudhën e lulëzimit të bimëve, bletarët ngrejnë një tjetër shqetësim, atë të dëmtimit nga ilaçet apo helmet që përdoren nga fermerët e frutikulturës. Bletari Shaban Istrefi, nga Maqellara e Dibrës thotë se çdo vit ka dëmtime të bletës në periudhën e lulëzimit të pemëve frutore, e që ai dyshon se u vjen nga helmet që hidhen për t’i mbrojtur pemët. Istrefi shprehet se faji nuk është vetëm i fermerit që i përdor por edhe i strukturave të tjera, kryesisht specialistëve që duhet të gjejnë helme që janë të dobishme për pemët frutore por që të mos jenë të dëmshme për bletët. Edhe vitin e kaluar, thotë bletari Shaban Istrefi, ai është dëmtuar në periudhën e lulëzimit të pemëve frutore ku dyshon se bletët janë helmuar. Një shqetësim i ngjashëm është ngritur edhe nga bletarë të tjerë jo vetëm në Dibër por edhe në Bulqizë, Klos e Mat.