Blegtoria drejt zhdukjes?
Numri i bagëtisë së imtë por edhe i gjedhëve sa vjen e zvogëlohet nga viti në vit në vendin tonë. Ky fenomen ka përfshirë edhe rrethin e Matit, ku vitet e fundit ka patur një tkurrje të ndjeshme të numrit të krerëve të bagëtisë së imtë. Ndërkohë, sipas bujqëve, shkaqet mbeten të ndryshme, por më kryesorja për ta mbetet largimi i rinisë jashtë vendit. Bib Gjinaj, nga fshati Suç i Bashkisë Klos, mbarështon disa krerë dhi, ndërsa shton se është i pafuqishëm që të rrisë numrin e tyre. Por sipas tij, shkaqet e rënies së bujqësisë dhe blegtorisë janë të shumta që nga largimi i rinisë, rritja e shpenzimeve për punimet bujqësore etj. Ai është i bindur që nëse nuk do të ketë politika favorizuese nga shteti për banorët që jetojnë në fshatra të mbarështojnë bagëti, brenda pak vitesh malet e fushat e fshatrave do të jenë të boshatisura. Në pafuqi të mbarështimit të bagëtisë së imtë, blegtori Gjinaj thotë se në fshatra po shtohet mbarështimi i shpendëve, të cila nuk kanë edhe aq mund për t’i mbajtur. Statistikat zyrtare tregojnë se në dekadën e fundit, numri i bagëtisë së imtë në të gjithë qarkun Dibër ka rënë me disa mijë krerë.