
Megjithëse mbarështimi i kafshëve të imta apo i gjedhëve ka ardhur në rënie vit pas viti në qarkun Dibër, ka ende blegtorë që mendojnë se si ta shtojnë tufën e tyre. I tillë është rasti i Naim Sulës, nga fshati Okshatinë i Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës. Naimi shprehet se aktualisht mbarështon 160 krerë dhi, për të cilat kujdesen katër anëtarë të familjes. Ai tregon se përfitimi nga blegtoria është i mirë kur ke një numër të konsiderueshëm gjedhësh, pasi shet mishin, qumështin, djathin etj. Por, Naimi na tregon se ka ende nevojë për mbështetje për zgjerimin e fermës. Këtë vit, thotë blegtori Sula, nuk kam marrë subvencionin nga shteti për krerë, ndërsa kërkon ndihmë për të ndërtuar një stallë akoma më të madhe dhe të rrisë numrin e bagëtisë deri në 500 krerë.
Blegtori Naim Sula, nga fshati Okshatinë, shpreson se do të ndihmohet nga shteti me subvencione dhe të shtojë numrin e bagëtisë me të cilat ka lidhur jetën.