Bie niveli i ujit në liqenin e Ulzës menjëherë pas moratoriumit të peshkimit
Menjëherë pas përfundimit të moratoriumit të gjuetisë së peshkut të vendosur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, kompania e cila ka privatizuar hidrocentralin e Ulzës ka nisur shfrytëzimin maksimal të ujit.
Për më pak se një javë, niveli i ujit në këtë basen ujor ka rënë me rreth tre metra dhe vazhdon të zbresë çdo ditë.
Burime pranë HEC-it Ulëz thanë se pas mbylljes së moratoriumit me datë 25 Qershor, hidrocentrali ka nisur prodhimin e energjisë elektrike me kapacitet të plotë.
Ndërkohë, duke marrë shkas nga temperaturat që kanë arritur vlera ekstreme në periudhën në të cilën ndodhemi, shfrytëzimi maksimal i ujit ka vënë në alarm specialistët e peshkimit, të cilët shprehen se me rënien e nivelit të liqenit, uji ngrohet më shumë seç duhet për disa lloje peshqish dhe kjo mund t’i vendosë ata në rrezik zhdukje.
Gjithashtu një tjetër pasojë e uljes së nivelit të liqenit të Ulzës është edhe ipakti që ka në turizëm, pasi vështirësohet përdorimi i bregut liqenor nga banorët vendas por edhe vizitorët për të bërë plazh.
Me rënien e nivelit të ujit, zona breg-liqenore pranë qytezës së Ulzës do të ketë thellësi më të madhe të ujit, çka e bën atë më pak të përdorshme nga familjarët. Banorët dhe grupet e interesit i kërkojnë kompanisë të mos e bëjë shfrytëzimin malsimal të ujit pasi dëmi ekonomik për ta është shumë më i madh se përfitimet e kompanisë turke.