Besimtarët e Krishterë festojnë Krishtlindjen
Besimtarët e krishterë në mbarë botën festuan mbrëmjen e kaluar dhe gjatë ditës së sotme, ditëlindjen e Jezu Krishtit. Edhe besimtarët katolikë në Ulëz u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës në kishën “Shën Marku”, ku u mbajt mesha e Krishtlindjes. Mes riteve fetare, në këtë meshë vigjilie të Krishtlindjes, shumë fëmijë u pagëzuan nga drejtuesi i kishës Katolike Mat. Krishtlindja përcjell mesazhe të forta paqeje, faljeje, solidariteti dhe dashurie mes njerëzve. Për besimtarët, ajo ka një rëndësi të veçantë shpirtërore dhe familjare, pasi lindja e Jezus Krishtit ndodhi pranë familjes së tij, duke e vendosur familjen në qendër të simbolikës së kësaj feste.
Pas mbajtjes së riteve fetare, besimtarët katolik uruan njëri – tjetrin për më shumë paqe, begati e harmoni në familje. Një urim të veçantë bëri edhe Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, i cili ndoqi meshën e vigjiljes së Krishtlindjes.
Krishtlindja shoqërohet me tradita të njohura në mbarë botën, si vendosja e skenës së lindjes së Krishtit, zbukurimi i pemës së Krishtlindjes, shkëmbimi i dhuratave dhe kartolinave, si dhe mbledhja e familjes rreth tryezës festive.