Berisha reagon ndaj Ramës: "Lëvizje për të shpëtuar veten," thirrje për protesta dhe dorëheqje
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një videomesazhi ndaj lëvizjes së fundit të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shpëtuar veten.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës të vazhdojnë protestat, duke theksuar se qëllimi i tyre është largimi i Ramës nga pushteti.
Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke e bërë përgjegjës për krizën që po përjeton vendi.
Në videomesazhin e tij, Berisha theksoi se: "Lëvizja e fundit e Edi Ramës është një lëvizje me të cilën kërkon të shpëtojë lëkurën e tij. Por është një lëvizje, e cila fton qytetarët shqiptarë, opozitën shqiptare të vazhdojë fuqishëm protestat, pasi kryengritja paqësore e shqiptarëve synon, ka si qëllim kryesor madhor shpëtimin e Shqipërisë nga Edi Rama dhe jo-kukullat e tij."
Më tej, ai shtoi se: "Me lëvizjen e tij, ai përpiqet të mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vet është kreu i organizatës kriminale që drejton."
"Ndaj dhe, i kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, përndryshe do përballet me opozitën dhe mbarë popullin shqiptar," tha Berisha.
Duke qenë i prerë, ai përmbylli mesazhin me fjalët: "Edi Rama, nuk ka më pranverë për qeverinë tënde dhe për ty. Je shkaku i të gjitha problemeve të mëdha me të cilat përballet sot shqiptarët. Je mater matrix e kësaj të keqe të madhe që ka kapluar qenien, shpirtin, trupin e Shqipërisë."