Berisha: Grup pune për të negociuar me partitë opozitare kandidatin e Tiranës - Agjencia e Lajmeve - Zhurnal.mk

Berisha: Grup pune për të negociuar me partitë opozitare kandidatin e Tiranës - Agjencia e Lajmeve - Zhurnal.mk
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot në një konferencë për mediet se ka ngarkuar një grup prej tre personash që do të negociojnë me parti të tjera të spektrit opozitar, për të përzgjedhur kandidatin që do të garojë për Bashkinë e Tiranës. Konkretisht sipas Berishës, Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti janë caktuar në grupin negociator, të cilët do të negociojnë me parti brenda dhe jashtë koalicionit. Berisha tha se takimet do të nisin ditën e sotme, ndërsa shtoi se për 5 bashkitë e tjera, opozita i ka kandidatët, por pa dhënë detaje mbi emrat. “Unë kam ngarkuar një grup prej 3 personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Do të jetë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti. Do të jenë përfaqësuesit tanë që do negociojnë me partitë e tjera.” “Por tani, a më shkon mua që nga një anë të ngarkoj dhe t’u them partive që do negociojmë, dhe nga ana tjetër të them emra. Kjo nuk më shkon. Prandaj, ata do mblidhen sot dhe do bashkërendojnë, kanë filluar që dje në një farë mënyre në disa aspekte. Këta tre persona, Noka, Këlliçi dhe Alimehmeti janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, koalicioni dhe jashtë koalicionit”, tha Berisha. “Ata takohen për kandidatët, me partitë. Pasi të bien dakord, se duhet të bien dakord me parti të tjera vjen radha e kandidatëve. Puna është në vazhdim. Unë, natyrisht nuk kam ndërmend të prononcohem për njeri, meqënëse ky është një proces. Po të ishte ndryshe, ju flisja unë këtu, vija ju thosha që kandidati i preferuar do jetë ky”, u shpreh Berisha.