Një vatër e madhe zjarri është shfaqur pasditen e së Mërkurës në malin e fshatit Baz në afërsi të vendit të quajtur “Qafa e livadhit” të Bazit ngjitur me malin e Karicës.
Flakët u përhapën menjëherë në një sipërfaqe të konsiderueshme për shkak edhe të erës së fortë. Ndërkohë, drejt vendit ku ishte vatra aktive janë nisur specialistët e Drejtorisë së Pyjeve në Bashkinë Mat, por terreni i vështirë ka bërë që neutralizimi i menjëhershëm të ishte i pamundur.
Megjithatë, ata kanë punuar për shuarjen e flakëve pasditën e djeshme dhe paraditen e sotme ku dhe të ndihmuar nga reshjet e shiut, zjarri u shua rreth orës 15:00.
Për shkak të terrenit ku ndodhet, dyshimet janë për një zjarrvënie të qëllimshme ndërsa është kërkuar hetimi policor në mënyrë që autorët të vihen para drejtësisë.
Djegia e pyjeve me dushqe në atë lartësi sipas specialistëve të pyjeve, mund të bëhet vetëm me qëllim pasi janë larg zonave të banuara dhe nuk mund të ketë asnjë lloj shkëndije që mund ta ndezë zjarrin, përveçse nga dora e njeriut.
Masivet pyjore në Mat vazhdimisht janë dëmtuar nga zjarret, ndërsa ndëshkimet për autorët kanë qenë të papërfillshme, megjithëse kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomik.