Ballina POLITIKE Basha prezanton programin për arsimin: Paga deri në 1300 euro për arsimtarët

Basha prezanton programin për arsimin: Paga deri në 1300 euro për arsimtarët

0

Tekste falas për 3500 nxënës dhe pagë jo më pak se 700 euro për mësuesit, premtoi kreu demokrat, Lulzim Basha, në prezantimin e programit elektoral të arsimit për zgjedhjet e 25 prillit.

Duke shprehur angazhimin e tij, Basha tha se fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paketa shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar.

“Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar. Brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tablet apo kompjuter në shtëpi”.

Rritje pagash deri në 50% premtoi edhe për pedagogët e profesorët, si edhe bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 lekë dhe gjysmëbursa për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 lekë.

“Do të japim bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 lekë. Dhe gjysmëbursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 lekë. Ne do investojmë te studentë të shkëlqyer duke i çuar ata në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain (Përfitimi i Mendjeve), i cili nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë. Do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve paga prej 900 eurosh në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 euro. Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 40 milionë dollarë, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit”.

Kreu demokrat garantoi edhe pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, kur të jetë në krye të qeverisë.

“Do ta miratoj menjëherë, sapo të zgjidhem kryeministër, ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë e vetë studentët”.

Exit mobile version