Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur së fundi në qytetin e Fierit, ku ka falenderuar të gjithë përfaqësuesit e kësaj force politike për qëndresën e tyre në 25 Prill, dhe tha se beteja do të vazhdojë me faktimin e shitblerjes së votave.

Basha gjatë fjalës së tij të gjatë me demokratët e Fierit, tha se nuk ka asnjë shans që PD të bashkëpunojë me Edi Ramën, ndërsa tha se nuk do të njihet rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit, të cilat vazhdon që ti konsiderojë një masakër.

Sipas kreut të PD-së në rast se zgjedhjet do të kishin qenë të lira, PD jo vetëm që do të barazonte rezultatin në Fier, që konsiderohej si bastion i socialistëve, por mund të kishte shanse të mira, për të qenë në shumicë.

Teksa foli për djegien e mandateve, Basha nuk la pa përgjigje dhe ata që sipas tij janë kujtuar me vonesë, dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë deri dje.

FJALA E PLOTË E BASHËS:

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike për degët e qarkut të Fierit, kryetarë, sekretarë të degëve, të grupseksioneve, anëtarë të kryesive, kandidat Dua ta nis me një falënderim nga zemra për gjithsecilin prej jush, për gjithë familjarët tuaj, që bashkë me ju kanë ndarë barrën e sakrificës personale dhe mbi të gjitha për të gjithë ata mijëra demokratë që keni drejtuar në një betejë epike më 25 prill.

Midis një Partie Demokratike të zbritur në fushën e betejës vetëm me zjarrin dhe pasionin e shpirtit dhe misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe përballë me një kundërshtarë i cili riktheu të gjitha praktikat dhe metodat e regjimit të përmbysur në vitin 1992. Përmasat e asaj beteje, janë të patregueshme dhe të pa mbërthyeshme jo në një fjalim, por në dhjetëra fjalime, por gjurmët e asaj beteje janë kudo.

Së pari, janë në angazhimin masiv të bashkëqytetarëve tuaj në Fier, Mallakastër, Roskovec, në Patos, në Lushnje, në Divjakë, të cilët kërkuan dhe morën nga ne, nga Partia Demokratike, nga ekipi ynë, nga të gjithë ju, nga ata mijëra të tjerë që nuk ndodhen sot këtu por që ishin natë e ditë me ju në çdo pjesë të betejës, shpresën, besimin se ndryshimi është i mundur. Dhe e shprehën atë me numra nga më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë ky qark në 30 vite pluralizëm.

Padiskutim, pritshmëritë tona ishin më të larta. Padiskutim tmerri i kundërshtarit ishte në përmasat më të larta që ka patur ndonjëherë. Dhe kjo është arsyeja se pse betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë, Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vet atij kodi që votuan në mënyrë të njëanshme më 5 tetor, me punësime masive të paligjshme dhe të rreme. Që nga bashkia e okupuar, tek Alb-Petroli dhe çdo fushë tjetër.

Me presione të tmerrshme kriminale ndaj administratës, ndaj biznesit, ndaj sipërmarrjes në tërësi, ndaj familjeve të qytetarëve, ndaj mësuesve, ndaj mjekëve dhe ndaj personelit shëndetësorë në tërësi. Si me angazhimin e zakonshëm të aradheve të kriminelëve, të cilët bënin natën të vetmen fushatë të Edi Ramës, blerjen e votave nën kërcënim derë më derë. Kjo është tabloja e qartë që është shpalosur tashmë anembanë vendit. Për herë të parë ndoshta në histori, demokrat e socialist janë të një mendje pavarësisht se njëra palë e thotë me zë të lartë, e tjetra me zë të ulët.

Vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata. U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier.

Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo. Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë.

Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e  plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të  njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata. Për herë të parë që nga 91-shi pa asnjë pushtet, por me zemrat dhe mendjet e mbushura me  hallet dhe problemet e tyre që  nga naftëtarët e Ballshit tek  fermerët e Myzeqesë, që nga pensionistët e mjeruar në ekstrem tek të rinjtë në dëshpërim, që nga bizneset e vogla për të cilat Fieri mban rekordin e mbylljeve përditë tek largimi dhe emigracioni masiv për të cili Fieri është qarku i dytë që  është zbrazur më shumë pas Kukësit, por dhe me zgjidhje, jo pallavra, zgjidhje reale.

Jo çfarë donin të dëgjonin të gjithë këta vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët tanë. Por çfarë merrnim ne përsipër? Çfarë marrim ne përsipër? Sepse në fund të fundit këtë betejë ndryshe nga regjimi Rama-Doshi ne nuk e nisëm për veten tonë dhe për këtë provat i kemi dhënë të qarta. Kur ishte puna për  t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët siç na thonë sot disa si kofini pas të vjelit, por për t’u përballur siç u përballëm dhemb për dhemb.

Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej  ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton! Sepse beteja ishte për shqiptarët, sepse beteja vazhdon të jetë për shqiptarët.

Sepse sot më shumë se kurrë ata kanë nevojë të shpresojnë, të besojnë dhe të drejtohen e të udhëhiqen për t’i nxjerrë nga një hall i cili është edhe  më i madh se ai që kishim para 25 prillit. Çfarë zgjidhi 25 prilli për qindra naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë? Çfarë zgjidhi për mijëra fermerë të Myzeqesë? Çfarë zgjidhi për bizneset e vogla? Çfarë zgjidhi për ata mjeran të cilët pasi i varfëroi deri në palcë ua bleu dinjitetin me një grusht parash të vjedhura po nga xhepat e tyre? Asgjë!

Dhe këtu vijmë tek konkluzioni ynë i parë. 25 prilli tregoi se demokratët pa asnjë mjet pushteti në dorë, vetëm me shpirtin e tyre janë në gjendje të bëjnë një mobilizim masiv dhe t’i kundërvihen një pushteti të tërë e ta çojnë në buzë të greminës gati për ta hedhur aty ku e ka vendin. Padiskutim me këtë vjen edhe  konkluzioni i dytë i cili besoj se nuk është sekret as  për strukturat tona dhe as për qytetarët shqiptarë, masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi.

Beteja do të vazhdojë, beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time, as të Enkelejdit e as të kandidatëve tanë të tjerë, jo për poste drejtorësh apo për tendera, apo për të hapur dyert e doganave  për kontrabandë apo  për të bërë aleancë me krimin. Jo, jo. Ky degradim, kjo dekadencë, ku degjenerim është për fatin  e keq të Shqipërisë sot sëmundja që ka mbërthyer për vdekje kundërshtarin tonë politik. Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për  fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë për Shqipërinë dhe për demokracinë. Si do të vazhdojë kjo betejë? Në të gjitha  format, në të gjitha mënyrat, në çdo fushë beteje.

Një gjë është e sigurt si drita e diellit sot fundi i kësaj beteje nuk mund të jetë  triumfi i regjimit Rama-Doshi, por përmbysja e këtij regjimi dhe fitorja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Natyrisht nuk duhet të kemi asnjë iluzion se rruga që kemi përpara do jetë e lehtë dhe se orët dhe ditët e sakrificave kanë mbaruar. Është detyra ime t’ju shoh në sy e t’ju them që atë që kemi nisur së bashku krah për krah do ta vazhdojmë deri në fund.

Por është po kështu detyra ime t’ju them se në këtë betejë keni vetëm një  garanci për sukses, të marrim me vete vullnetin e secilit prej atyre 680 mijë shqiptarëve që na besuan drejtpërdrejt me votë si dhe të qindra, mijëra të tjerëve vota të koalicionit tonë dhe të qindra, mijëra të tjerëve të cilët kësaj radhe u trysnuan dhe u detyruan të qëndrojnë në shtëpi apo të tjetërsojnë votën e tyre. Si do ta bëjmë? Shoh fytyrën e disa të rinjve që i kam parë edhe në fushatë, i kam parë në takimet e Fierit, të Levanit, të Divjakës, të Roskovecit, të Patosit, Mallakastrës, 20 vjeçarë.

Ka qenë 12 vjeç kur regjimi erdhi në pushtet dhe jam krenar siç jeni edhe ju të gjithë krenarë, që këtë betejë nuk e kanë udhëhequr vetëm veteranët, qëndrestarët, aktivistët tanë të palodhur politikë, të cilëve fjalët e mirënjohjes nuk mjaftojnë për t’ju shprehur detyrimin që ju kemi, por për herë të parë, në një kohë të gjatë, kësaj beteje i ka prirë rinia. I ka prirë rinia, e cila për 8 vite kishte vetëm një rrugëdalje, largimin nga vendi. Zgjodhën të qëndrojnë, zgjodhën të bëjnë betejë me ne!

Unë dua t’i falenderoj nga zemra të rinjtë demokratë fierakë dhe të gjithë të rinjtë demokratë shqiptarë dhe gjithë rininë shqiptare, besimi i të cilëve pa pikë diskutimi është jo thjesht dëshmues i forcës së fushatës tonë për të ndezur shpresën por edhe obligim i madh sepse duhet t’i mbajmë këtu, sot, nesër, pasnesër dhe deri në përmbysjen e këtij regjimi, që është pengesa e vetme dhe shkaktari i vetëm dhe i vërtetë i largimit të të rinjve nga Shqipëria, ndaj detyrimi ynë është i dyfishtë, t’ia shkurtojmë ditët dhe të punojmë orë e minutë për ta përmbysur këtë regjim.

Siç e keni parë, shteti përdori në Fier gjithë makinerinë e tij për të tjetërsuar vullnetin, për të vjedhur votën, për të blerë votën, për të intimiduar qytetarët dhe përsëri me gjithë makinerinë shtetërore kundër një opozite, kundër një Partie Demokratike, pa asnjë pushtet shtetëror, diferenca në atë që e konsiderojnë si bastionin e tyre historik, arriti në rekordet historike më të ulëta. Pa pikë diskutimi, që në zgjedhje të lira e të ndershme, Fieri do të shënonte jo thjesht barazim, po përmbysjen e një klike që i ka mbajtur fierakët peng tash 30 vite.

Tani çfarë kujtojnë se do të bëjmë? Do të ulim kokën e do të pranojmë që një grusht njerëzish, përfituesit e vetëm të këtij regjimi të vazhdojnë ta mbajnë peng Fierin dhe Shqipërinë? Të vazhdojnë të venë bast se mund të rrinë në pushtet duke e zbrazur atë nga njerëzit që e duan vendin e tyre, duan familjet e tyre, duan një të ardhme më të mirë? Sigurisht që jo. Pa diskutim, ditët e para kanë qenë ditë shoku dhe tronditjeje jo vetëm për demokratët, për të gjithë shqiptarët. Edhe për një pjesë të mirë të socialistëve, të cilët të jeni të bindur dhe ju e dini, kanë votuar për ndryshimin. Dhe kjo është fare njerëzore, po ndryshe s’do ishim njerëz. Ne s’jemi prej guri por kocka jonë është e pathyeshme. Në qoftë se ka diçka që e dinë fare mirë të gjithë është që demokratët nuk dorëzohen kurrë dhe tani që është fare e qartë se ndryshimi u pengua në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, shokut, tronditjes dhe zhgënjimit po i lë vend zemërimi, vendosmëria dhe forca për t’u ngritur në këmbë dhe për ta vazhduar këtë betejë derisa ky regjim që e kemi çuar në buzë të greminës, të gremiset e të marrë fund një herë e përgjithmonë. E dimë dhe vetë.