Basha: Nëse shembet Teatri, prisni zjarrin tek çdo institucion e qendër tregtare

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Z. Basha duke e cilësuar shembjen e godinës si vijë të kuqe, theksoi se nuk do të lejohet që qeveria të ndërmarrë  një veprim të tillë.

“Në kohë pandemie, kur shqiptarët presin dhe meritojnë mbështetje nga qeveria, Edi Rama sulen për të tjetërsuar Teatrin Kombëtar, për të vjedhur këtë pasuri kombëtare. Mesazhi është i qartë, edhe në kohë pandemie, këta e kanë mendjen për të vjedhur”, deklaroi kreu i PD.

Z. Basha ishte i ashpër në qëndrimin e tij duke thënë se shembja e teatrit do të sjellë revoltë, madje duke paralajmëruar djegien e institucioneve shtetërore dhe qendrave tregtare në vend.

“Çdo akt për prishjen e teatrit është akt i pastër lufte, ndaj qytetarëve dhe jo vetëm ndaj artit dhe artistëve. Përgjigja u takon të gjithë qytetarëve, ndaj unë u bëj thirrje sot në emër të PD të gjithë qytetarëve ta kuptojnë se te Teatri Kombëtar sot, është vija e kuqe e përballjes me regjimin që u ka vjedhur”, tha z. Basha.

“Nëse ky pushtet do t’i shkojë deri në fund marrëzisë për të ndezur zjarrin te teatri, le ta presin popullin tek çdo institucion i uzurpuar, le ta presin zjarrin nga Surreli tek qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar”, ka theksuar lideri i opozitës.