Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur mbrëmjen e sotme krerët e degëve të partisë.
Burime pranë PD-së i thanë gazetares së A2, Arestina Skënderi, se Basha u ka thënë krerëve që PD nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve. Burimet cituan kryedemokratin Basha të jetë shprehur se rezultati është i deformuar dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve. Përsa kohë nuk e pasqyron këtë vullnet, PD-ja nuk do ta njohë këtë rezultat.
Burimet sqaruan se kjo nuk do të thotë që demokratët nuk do të jenë pjesë e Parlamentit, por këtë rezultat do ta kontestojnë në çdo formë të mundshme. Basha u ka lënë porosi krerëve të degëve që të mbledhin prova për kontestimin e rezultatit.
Nesër, në orën 18:00, Basha do të ketë një takim edhe me kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike.