Banorët e dy njësive administrative Baz e Ulëz në Bashkinë e Matit prej një muaji po përballen me një situatë të pazakontë, ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike. Banorët thonë se në disa raste ato shkojnë e vijnë me intervale, ndërsa kur ka reshje shirash, energjia nuk rikthehet fare.
Banorët thonë se e paguajnë rregullisht energjinë, ndaj kërkojnë nga OSHEE që t’i furnizojë ato pa ndërprerje dhe të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit të tyre.
Ndërkohë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijon të fajësojë Hidrocentraline Ulzës. Të kontaktuar nga Mat Tv, drejtues të degës së Matit thanë se faji është i hidrocentralit pasi ka vendosur një pajisje nën kapacitetin e konsumit të përditshëm të energjisë nga banorët, duke bërë kështu edhe stakimin e furnizmit me elektricitet të mijëra banorëve të Njësive Baz e Ulëz.