Rekamë

Banorët e Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kanë vijuar protestat për rihapjen e godinës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata”. Prindër të fëmijëve dhe banorë të fshatrave të Suçit, e jo vetëm, u mblodhën në protestë për të tretën herë para godinës e cila është mbyllur për shkak se komisioni i Institutit të Ndërtimit në Tiranë e ka cilësuar si të rrezikshme. Banorët kërkojnë riinspektim të objektit dhe të marrin një vendim, pasi sipas tyre, godina është në gjendje të mirë fizike dhe duhet rihapur për nxënësit. Ata paralajmëruan edhe njeherë se nuk do të dërgojnë fëmijët në shkollat e tjera me datë 1 Shtator kur dhe nis mësimi plotësues. Banorët i bënë thirrje Bashkisë Klos dhe Ministrisë së Arsimit që të rihapin godinën aktuale.

Më pas një përfaqësi e banorëve ju drejtua Zyrës Vendore Arsimore në Klos. Gjatë bisedës me drejtues të kësaj zyre, këta të fundit u shprehën se shqetësimi i tyre do t’i përcillet Ministrisë së Arsimit, pasi vetë ata nuk kanë kompetencë për të vendosur rihapjen e shkollës.
Pas këtij takimi, banorët shkuan tek Bashkia e Klosit, ku dhe u takuan me kryebashkiakun Ilmi Hoxha. Sipas banorëve, Bashkia Klos ka dërguar shkresa pranë Institutit të Ndërtimit në Tiranë duke i kërkuar këtij të fundit të japë një vendim përfundimtar nëse objekti ka nevojë për rikonstruksion apo të ndërtohet nga fillimi, por ende nuk ka një përgjigje për të.
Nga ana tjetër, banorët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë shkollën dhe se nuk do t’i dërgojnë fëmijët më të mësojnë në kisha e xhamia, apo objekte të tjera që nuk plotësojnë kushtete më minimale.