Banorët e Kurdarisë në Klos përzënë mjetet e firmës që do të ndërtojë HEC në "Përroin e Lusës"
Banorët e fshatit Kurdari në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kanë përzënë mjetet e firmës "Doma" që kish nisur punën për ndërtimin e një HEC-i në "Përroin e Lusës". Banorët kanë konstatuar në përrua rreth orës 6 të mëngjesit të kësaj të premteje mjetin duke punuar dhe të gjithë bashkë kanë përzënë drejtuesin e mjetit bashkë me fadromën. Rezistenca e banorëve të Kurdarisë vijon prej më shumë se 8 muajsh duke mos lënë firmën të punojë. Banorët shprehen se futja e ujit në tubacione do të thotë vdekje e jetës në fshat, ndaj janë të vendosur për të mos e lejuar zhvillimin e këtij projekti. Ata i bëjnë thirrje kompanisë që të mos rikthehet më si dhe institucioneve shtetërore të ndalin masakrën siç e quajnë ata të një fshati me prodhimtari të lartë bujqësore. Protestat e vazhdueshme të banorëve të Kurdarisë janë zhvilluar duke mos lejuar kompaninë të shkojë në kantier. Ata kanë ruajtur zonën ditë e natë ndarë në disa grupe ku sapo konstatoheshin punonjës të kompanisë, menjëherë mblidhej i gjithë fshati.