Banorët bëhen barrikadë në rrugën për pengimin e ndërtimit të HEC-it në përroin e Lusës
Prej tetë muajsh banorët e fshatrave të Njësisë Administrative Suç, në Bashkinë e Klosit, janë kthyer në një barrikadë për mbrojtjen e përroit të Lusës që rrjedh nga mali i Balgjajt. Banorët e bashkuar dalin çdo ditë për të mos lejuar kompaninë për të shkuar në kantierin e ndërtimit, që e ka nisur tetë muaj më parë, por që nuk ka avancuar. Ditën e mërkurë ata u përballën me përfaqësues të kompanisë “Doma” duke mos i lejuar ata të shkojnë në kantierin e ndërtimit. Ndërkohë, që disa prej banorëve bënë edhe deklarime në polici. Por rezistenca e banorëve vijoi edhe gjatë kësaj të enjteje ku u mblodhën në qendër të fshatit Kurdari dhe penguan mjetet e kompanisë “Doma” të shkojnë në kantierin e ndërtimit të HEC-it. Përreth 1 orë, banorët u bënë barrikadë në afërsi të xhamisë së Kurdarisë dhe detyruan punonjësit e firmës të kthehen pas. Banorët e e fshatrave të Njësisë Administrative Suç, në Bashkinë e Klosit, deklarojnë se nuk do të ndalen për asnjë çmim në mbrojtje të rrjedhës së ujit në përroin e “Lusës”. Ata i bënë thirrje institucioneve shtetërore të ndërhyjnë dhe të ndalin këtë projekt, që sipas tyre shkatërron gjithë ekosistemin e jetës në Njësinë Administrative Suç.