Dhjetra banorë të Mirditës, Matit dhe Dibrës u mblodhën në një protestë për rrugën Perlat – Lurë, investim i nisur tre vite më parë por që ende nuk ka përfunduar. Protestuesit u mblodhën në vendin e quajtur “Livadhi Turkut” aty ku nis rruga Perlat – Lurë. Rruga duhej të ishte asfaltuar por punimet kanë mbetur në vendnumëro. Protesta e thirrur nga shoqëria civile mblodhi dhjetra banorë të zonave Mirditë, Mat e Dibër. Protestuesit kërkuan që autoritetet të ndërmarrin hapat ligjor ndaj firmës e cila po zvarrit përfundimin e projektit. Ata thanë se protestat e tyre nuk do të ndalen por do të përshkallëzohen me bllokim të rrugës së kombit do të zhvendosen deri në Tiranë.
Protesta u mbyll paprobleme, ndërsa u monitorua nga policia lokale.
Fondi prej afro 12.6 milion euro për këtë vepër që do t’i shërbente shumë zhvillimit të turizmit në Lurë është një donacion i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i përfshirë nga qeveria shqiptare në Programin për Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Turizmit në Shqipëri nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.