Në Shupenzë, Bulqizë, me mbështetjen e qeverisë është ndërtuar tregu i ri i produkteve bujqësore e blegtorale, një hapësirë funksionale për fermerët e zonës që u vjen në ndihmë atyre për shitjen e produkteve të ndryshme që ata prodhojnë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zv.kryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca vizituan nga afër këtë pikë të re tregtimi në Shupenzë, Bulqizë dhe bashkëbiseduan me fermerët aty për ecurinë e punëve në bujqësi dhe mbështet në zhvillimin e biznesit të tyre.
Zv. kryeministrja Balluku shprehu kënaqësinë që turi dyditor në qarkun e Dibrës nis nga tregu i Shupenzës, ku siç tha ajo, vijnë jo vetëm prodhimet nga Mati, Bulqiza dhe Klosi por vijnë edhe prodhimet e Dibrës dhe Maqellarës.
“Është kënaqësi t’ju shohim të gjithëve këtu sot në një treg të ri të ndërtuar nga bashkia ku punohet seriozisht në një zonë me 9 mijë ha, ku 50% janë të fermerëve dhe 50% të tjera janë të paprivatizuara. Këtu prodhohen varietet të ndryshme blegtorale dhe bujqësore. Dibra Mati dhe Klosi falë prodhimit cilësor janë bërë të njohur jo vetëm në tregjet e vendit por edhe për eksportet e larta”, tha Balluku.
Balluku vuri në dukje se, në këtë zonë kanë ardhur subvencionet e qeverisë përmes AZHBR, ka programe zhvillimi. “Ne do të vijojmë t’ju mbështesim në sektorin e e bujqësisë pasi ky vend ka potenciale për rritjen e prodhimit dhe të eksporteve, teksa investitorët po tregojnë interes në këtë zonë për sipërmarrje në arrore, e prodhime të tjera që kërkohen nga tregjet e huaja”, theksoi ajo.