Të ftuar në studion e Fax News, ambjentalisti Abdullah Diku dhe gazetari Saimir Kola kanë folur lidhur me masakrën mjedisore që po ndodh në veri të vendit për shkak të ndërtimit të hidocentraleve, kryesisht për masakrën mjedisore të Lurës nga një hidocentral që operon prej vitesh, pra që i ka nis punimet që në 2007-tën në këtë zonë, dhe punën e ka nis nga 2010-ta.

Në fjalën e tij ambientalisti Abdullah Diku është shprehur se përmasat e ndërhyrjes në këtë zonë janë me të vërtet të frikshme duke i dëmtuar komplet peisazhin kësaj zone pavarësisht se ekziston një dokument i miratuar nga ish-komuna Lurë që nuk e lejon këtë.

Ndër të tjera ai shprehet se: Gjithë pejsazhi natyror është i zhgarravitur në kuptimin më të mirë të fjalës me trase të tilla masive duke shkaktuar shpyllëzime të përmasave të mëdha. Ndërhyrja e bërë në Lurë e dëmton komplet pejsazhin. Gjatë 2008- 2009 ish komuna e Lurës ka hartuar një plan strategjik zhvillimi atëherë për ish-komunën dhe në asnjë vend të sajin nuk përmenden ndërhyrje të tilla masive në një zonë kaq të vogël. Ndërhyrje të cilat e dëmtojnë në mënyrë të pakthyshme atë zonë”.

Diku flet po ashtu edhe për një kontratë që ekziston me konçensionarët ku ai shprehet se:

“Kam parë 2 element në kontratën e konçensionarëve në 2012-tën.

  1. Koncensionari do të detyrohet të zbatoj planin e investimneve, investime për komunitetin, pra kur bënë dëme duhet të investosh për ta kompensuar atë dëm. Deri tani s’kam parë ndonjë gjë të tillë, të investohet për reabilitimin e mjedisit.
  2. Konçensionari 15 vitet e para duhet ta japi në Shqipëri energjinë, pastaj mund ta shes ku të doje. Nderkohe që një gjë e tillë nuk ndodh.”

Sipas Dikut vetë kontrata është fitimprurse për konçensionarin, mirepo pavarësisht kësaj ata sërisht vazhdojnë ta eksportojnë energjinë jashtë. Ai shprehet se: “Kontrata përcakton një investim 10 milion euro me 12 megavat energji, ku një megavat është 1 milion. Ky është një investim shumë i mirë për investitorin… Do të jetë shume keq përsakohe koncensionarët e shfrytëzojnë energjinë vetë ndërsa ne detyrohemi ta importojmë nga vendet e tjera me dyfish çmim.”

Po ashtu edhe gazetari Saimir Kola e ka cilësuar atë që po ndodh në Lurë si një masakër mjedisore babëzi e paprecedentë, ku sipas tij kompanitë përfitojnë nga kriza energjitike në vend për të investuar duke shkatërruar në këtë mënyrë edhe ekosistemin.

Ai shprehet se: “Është një babëzi e paprecedentë masakre në Lurë. Lugina është e shfrytëzuar në të dy anët. Ajo është e ndarë në dy pjesë, në dy degë ku vetëm njëra prej këtyre degëve është 11.5 km. Ndërkohë uji është futur në tubacione, duke shkaktuar një shterim të tij.  “Krizen energjitike nuk e zgjidh ndërtimi i HEC-eve. Kompanitë po përfitojnë nga kriza ekonomike. Ekosistemi është shkatërruar. Kur ndërtohet një basen i një HEC- i klima ndryshon shumë. Mirdita nuk ka më ujë prej HEC-ve. Fani është tharë”.

Ai shprehet se  banorët duhet të protestojnë banorët së bashku pasi ata nuk kanë përfituar asgje nga këto HEC-e veçse abuzimit me lumenjët,  luginat e thara dhe shkatërrim të ekosistemit.

Në një lidhje direkte në studio për shkatërrimin e ekosistemit të Lurës ka folur edhe kreu i unionit “Lura”, Hekuran Vladi. Sipas tij pavarësisht se është thënë në 2012 punimet shfrytëzimi ka nisur që në 2010. Ai shprehet se: “Kur flasim per Lurën kemi parasysh liqenet dhe dëmtimin e pyjeve. Dëmtimi i pyjeve s’është asgjë, nëse flasim për 12 hektar të pyjeve të Lures, ku 1/3 e tyre është shkatërruar. Fshati Arrëmadh nuk është më. ”

Për më tepër ai shprehet se edhe ata banorë të cilët kanë mbetur në  Arrëmadhë janë larguar sepse i kanë shpronësuar dhe shumicën e tokës ua ka marrë hidocentrali.  “Janë shpronësuar. Kompania ka marrë me dhjetra ton inerte dhe janë marrë falas. Lumi Malla që vjen nga liqenet e Lurës dhe derdhet në Drin të Zi nuk ekziston më.”

Sipas kreut te unionit ”Lura” masakrës mjedisore i duhen shekuj të rikuperohet për shkak të punimeve të bëra jashtë projektit: “Dëmit të bërë në Lurë duhen 300 vjet për tu rikuperuar. Janë kryer një përqindje e madhe e punimeve jashtë projektit. Nga dhjetra mijëra pemë të shkulura nuk është mbjell asnjë…”

I pyetur nga Fax News nëse është bërë ndonjë komunikim me komunitetin apo ndonjë reagim të mundshëm të banorëve për projektin Vladi shprehet se: “Personat të cilët kanë dashur t’i kundërshtojnë punimet kanë përfunduar në burg. Reagimi komunitar është 0. Kemi ngritur ne një grup pune që kanë interes për këtë çështje. Përsa i përket dëgjesave me banorët, banorët janë kapur në dru…”