Një ditë më parë qytetarët e Bulqizës u tronditën nga një atentat në rrugën e Arbrit mes dy lagjeve të këtij qyteti. Mbi mjetin me të cilin udhëtonte shtetasi Elin Tollja u zbrazën breshëri automatiku, ku 13 plumba goditën mjetin, ndërsa fatmirësisht asnjë plumb nuk e kapi 24 vjeçarin. Të afërmit e tij akuzuan familjen Zeneli ku sipas tyre, ata prej muajsh ushtronin presion e dhunë ndaj familjarëve të familjes Tolla. Ndërkohë këtë të shtunë ka folur vëllai i autorit të dyshuar Besmir Zenelit, Ergys Zeneli. Ky i fundit thotë se ka qenë Elin Tollja ai i cili ka gjuajtur në drejtim të Besmirit, gjë sipas tij e tregojnë edhe plumbat mbi makinën tip Toyota ku udhëtonte i vëllai. Po ashtu, Ergys Zeneli shprehet se vëllai i tij po ndiqej nga të paktën dy makina, ku i kanë prerë rrugën. Ai i ka kërkuar policisë së Bulqizës të zbardhë të gjithë dinamikën e ngjarjes pasi ajo është fiksuar nga kamerat e biznesve përgjatë rrugës së Arbrit. Ndërkohë, zanafilla e konfliktit mes familjes Tolla e Zeneli, dyshohet se ka nisur që në muajin Gusht të këtij viti. Të dyja familjet me lidhje gjaku po ndërtonin një fabrikë pasurimi të kromit në Tërnovë. Ndërkohë, dyshohet se ecuria e punimeve ka qenë shkaku i nisjes së konfliktit që ka agravuar më pas me ngjarje të njëpasnjëshme. Policia ka shpallur në kërkim Besmir Zenelin, ndërsa mjeti i tij është gjetur një ditë më parë në Gjoricë.