Situata e krijuar nga Covid-19 në vendin tonë ka bërë që autoritetet të marrin masa drastike në lidhje me lëvizjet e qytetarëve, apo pezullimin e përkohshëm të bizneseve. Por ndonëse këto masa janë marrë për të prerë zinxhirin e infektimeve të virusit korona, shumë familje të vafëra po përballnem me vështirësi ekonomike. Këta dy të rinj po e shfrytëzojnë fashën e orarit nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13:00 për të mbledhur metale që më pas i shesin për skrap. Ata përdorin rrugën nacionale Bulqizë – Klos apo Bulqizë – Peshkopi ku dhe mbledhin kanaçet e hedhur nga udhëtarët. Por të rinjtë të cilët jashtë kameras thonë se nuk po munden ta përballojnë më karantinën pasi nuk kanë me çfarë të ushqehen, kërkojnë edhe në pika të ndryshme inertesh për të gjetur ndonjë metal që më pas e shesin. Kjo është një punë që ata e bënin edhe më parë, por tani e kanë edhe më të domosdoshme pasi për disa ditë nuk kanë dalë të punojnë.