Asnjë shenjë e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, prej 3 ditësh vijojnë kërkimet në lumin Mat

Asnjë shenjë e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, prej 3 ditësh vijojnë kërkimet në lumin Mat
Kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj po bëhen me kontrolle në bregun e lumit Mat, në ujë nga polumbarët kur dyshojnë në shenja, me pajisje dron si dhe duke lundruar në ujërat e lumit. Operacioni po zhvillohet në një gjatësi prej 25 km nga vendi ku ka ndodhur aksidenti deri në hyrje të liqenit të Ulzës në fshatin Urakë të Matit. Në terren janë mbi 300 forca të përbëra nga shërbimet zjarrfikëse të Bashkive Mat e Klos, të Forcave të Armatosura, shërbimet e mbrojtjes civile e vullnetar të tjerë. Prurjet e lumin Mat kanë rënë ndjeshëm por mbetet i vështirë konstatimi i trupit të të zhdukurit, për shkak të tekstileve apo mbeturinave të tjera që kanë ngecur në bimësinë anash lumit. Specialistët dyshojnë se 30-vjeçari mund të jetë mbuluar edhe nga prurjet e zhavorit të lumit, çka e vështirëson akoma më shumë gjetjen e tij për shkak se uji është ende i turbullt. 30-vjeçari Jurgen Karaj dyshohet se ishte në automjetin tip Audi me targa angleze që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, ku rreth orës 1 e 30 minuta të natës së 10 janarit, doli nga rruga dhe përfundoi në zallin e Darsit. 24-vjeçari arriti të dalë i gjallë nga uji, ndërsa ende nuk dihet fati i pasagjerit 30-vjeçar. Drejtuesi i mjetit Andi Losha ndodhet i arrestuar nën akuzën e largimit nga vendi i ngjarjes, mosdhënia e ndihmës ndaj pasagjerit si dhe drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa për të riun tjetër të zhdukur vijojnë kërkimet.