Kjo e enjte nuk ka sjellë asnjë rast të ri të të infektuarish me Covid-19 në Qarkun Dibër.
Numri total i të infektuarve aktiv në të gjithë Qarkun vijon të mbetet ai i një dite më parë, 20. Epidemiologët vijojnë gjurmimin e kontakteve të rasteve të rezultuara pozitive ditën e Mërkurë në Klos dhe Dibër. Ata kanë marrë tampon nga familjarët dhe i kanë dërguar në Institutin e Shëndetit Publik ku pritet përgjigja e tyre ditët në vijim.
Nga 20 raste në Mat e Klos janë vetëm 4, ndërsa pjesa tjetër në Bulqizë e Dibër, ku në këtë të fundit rezulton që të ketë 10 raste aktive në vatra të shpërndara. Lajmi i mirë është gjendja shëndetësore e të të infektuarve të cilët nuk kanë shfaqur nevojën për shtrim në spitalin infektiv. Sipas Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor në tre rrethet, mjekët e familjes vijojnë të mbajnë kontakte me të infektuarit në lidhje me gjendjen e tyre.
Qarku i Dibrës rezulton me numrin më të vogël të të infektuarish në të gjithë vendin. Po ashtu, deri tani në këtë qark është shënuar vetëm 1 viktimë e cila ishte e infektuar me Covid-19. Shmangia e grumbullimeve, përdorimi i maskës në ambjente të mbyllura dhe larja shpesh e duarve, vijojnë të jenë këshillat e mjekëve për tu mbrojtur nga Covid-19.