
Megjithëse është paralajmëruar disa herë rreziku që i kanoset rrugës nacionale Klos – Burrel, në fshatin Suç, asnjë masë nuk është marrë deri tani. Ujërat e bardha që vijnë nga fshati në vendin e quajtur “degëzimi i Kurdarisë” vijojnë të gërryejnë nga poshtë trasenë e rrugës nacionale duke e bërë jo vetëm të paqëndrueshme por edhe të rrezikshme për përdoruesit e shumtë të saj.
Siç shihet nga pamjet, traseja e rrugës është dëmtuar, ndërsa vijon gërryerja poshtë asfaltit. Këmbët e barrierave metalike anësore mbeten në ajër, duke mos pasur aspak siguri për automjetet, të cilat mund të mbështeten në to.
Drejtues të mjeteve, por edhe banorë të zonës, kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të bëhet ndërhyrje ende sa rruga nuk është shembur e gjitha, pasi me këtë ritëm, shumë shpejt mund të dëmtohet e gjithë karrexhata për shkak të erozionit që po pëson nga poshtë karrexhatës si pasojë e pranisë së vazhdueshme të ujit.
Më problem situata është për automjetet që udhëtojnë nga Burreli në drejtim të Klosit, pasi në dukje nga lart nuk dallohet problemi që ka poshtë asfalti, ndërsa automjetet që mund t’i afrohen barrierave metalike, mund të përfundojnë në lumin Mat.
Deri tani jo vetëm që nuk ka ndërhyrje nga autoritetet përgjegjëse, por as një sinjalistikë informuese për drejtuesit e mjeteve që të mos i afrohen anës së poshtme të rrugës.