Megjithëse herë pas here bëhen burim aksidentesh, në urat njëkalimëshe pjesë e rrugës nacionale Burrel – Klos në Shoshaj e lagjen “Kumia e tullave” të fshatit Mallunxë nuk ka asnjë ndërhyrje.
Të tre urat vijojnë të jenë të rrezikshme jo vetëm për këmbësorët, por edhe për drejtuesit e automjeteve. Më e rrezikshme mbetet ura në lagjen “Kumia e tullave” e cila ka edhe numrin më të madh të aksidenteve, qoftë të automjeteve por edhe të këmbësorëve.
Por pak ditë më parë një aksident i rëndë u shënua edhe tek ura në fshatin Shoshaj, një automjet që po udhëtonte në drejtim të Burrelit përfundoi poshtë saj. Fatmirësisht nga aksidenti nuk pati pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale. Mungesa e barrierave mbrojtëse në këtë urë bëri që mjeti të përfundonte poshtë saj.
Në të tre urat njëkalimëshe, mjetet duhet të orjentohen me njëri – tjetrin teksa kalojnë pasi është e pamundur të kalojnë dy mjete njëherësh që lëvizin në drejtime të kundërta.
Ndonëse problematika e këtyre urave në një rrugë ku kalojnë mijëra mjete në dit është bërë disa herë mediatike, për shkak edhe të aksidenteve, autoriteti rrugor shqiptar nuk ka marrë asnjë masë. Vetëm vitin e kaluar për rehabilitimin e plotë të këtij aksi u shpenzuan 3.7 milion euro, ndërsa siguria për këto ura nuk u parashikua.
https://youtu.be/fHex-O5SzRk