Asnjë kujdes ndaj bypassit të Murrizit, gurët pushtojnë rrugën

Asnjë kujdes ndaj bypassit të Murrizit, gurët pushtojnë rrugën

  Që prej hapjes për qarkullim të tunelit të Murrizit asnjë përkujdesje nuk është treguar ndaj bypassit. Segmenti nga hyrja e tunelit deri në anën tjetër të fshatit Bastar Murrize është lënë totalisht në mëshirë të fatit, ku dhe ka nisur degradimi i tij.

Në anën e fshatit Xibër – Murrize të Bashkisë Klos ka rënie të vazhdueshme të gurëve por askush nuk i heq për shkak se rruga nuk përdoret më si para 14 Marsit të këtij viti.

Mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese anësore bën që uji të rrjedhë përmes asfaltit dhe nga shpati i malit të shemben gurë.

Ndërkohë, banorët që jetojnë në zonë kërkojnë që ky aks të mirëmbahet jo vetëm se mund të jetë i domosdoshëm në raste emergjente brenda tunelit, por edhe sepse ai i shërben fshatit, por jo vetëm.

Në periudhën pranverë – vjeshtë, zona e Qaf Murrizit frekuentohet në maksimum nga vizitor vendas e të huaj të cilët shijojnë bukuritë natyrore të zonës, por nëse rruga nuk do të mirëmbahet, atëherë sipas banorëve do të bie edhe interesi i turistëve.