Asfaltohet rruga Çerenec – Viçisht, Mjeshtri: do të vazhdojë deri në Klenjë
Janë asfaltuar 5.8 kilometrat e para të rrugës kufitare që nis nga fshati Çerenec e deri në Viçisht në bashkinë Bulqizë. Për të parë nga afër përfundimin e këtij investimi ishte vetë kryebashkiakja Festime Mjeshtri. Gjatë fjalës së saj, Mjeshtri tha se asfaltimi i këtyre kilometrave të para të rrugës kufitare zgjidh një problem të kahershëm të zonës dhe aktualisht nga ky investim përfitojnë banorët e Njësisë Administrative Gjoricë, por edhe të Njësisë Ostren e Trebisht. Mjeshtri shtoi se projekti do të vijojë dhe se deri në fund të këtij mandati do të asfaltohet e gjithë rruga deri në fshatin Klenjë të Trebishtit.
Investimi për sistemim asfaltimin e rrugës Çerenec – Viçisht kap vlerën e rreth 90 milionë lekëve dhe është financuar nga buxheti i Bashkisë Bulqizë në kuadër të projektit për asfaltimin e rrugëve rurale.