Rekamë

Pastrimi i territorit nga inertet ka qenë një kërkesë e fortë e Ministrisë së Mjedisit bërë ndaj pushtetit vendor. Por shumë Bashki ende nuk kanë një vend të përcaktuar për depozitimin e inerteve që dalin gjatë ndërtimit apo rikonstruksionit të objekteve. Një ndër këta bashki është edhe ajo e Bulqizës.
Megjithëse hedhja e inerteve në zonën e Qafës së Buallit në hyrje të tunelit të rrugës së Arbrit është denoncuar disa herë publikisht, inertet jo vetëm që nuk janë hequr, por po shtohen çdo ditë.
Subjekte apo individ të ndryshëm që kryejnë punime kryesisht në qytetin e Bulqizës vijnë dhe i hedhin mbetjet inerte pikërisht në këtë vend, duke bërë që jo vetëm të krijohet një imazh i keq për të gjithë ata që lëvizin në këtë rrugë, por edhe të krijojnë një ndotje të madhe të mjedisit.
Në të tilla raste duhet që jo vetëm pushteti vendor të reagojë por edhe Inspektoriati Shtetëror i Mbrojtjes së Territorit, për të bërë të mundur largimin e mbetjeve dhe ndëshkimin e ndotësve të mjedisit.