As hyrja në urën e fshatit Fshat nuk rregullohet

0

Problemet e rrugës lidhëse mes asaj ekzistuese Klos – Bulqizë dhe rrugës së Arbrit nisin që nga hyrja në fshatin Fshat. Siç duket nga pamjet, rruga në hyrje të urës është e gjitha me gropa. Sikur të mos mjaftonte hapsira e ngushtë e saj, automjetet duhet të kalojnë në gropa për të lëvizur drejt Tiranës apo anasjelltas. Ndërkohë që kalimi i lumit Mat vijon të jetë vetëm me një sens lëvizjeje për shkak se ura e re e nisur muaj më parë ende nuk ka përfunduar. Asaj i janë ndërtuar këmbët po mungon bazamenti për tu vendosur në funksion të automjeteve që do të qarkullojnë drej Tiranës. Drejtuesit e mjeteve shprehen se jo vetëm rruga lidhëse mes asaj nacionale ekzistuese dhe të arbrit, por në shumë segmente të kësaj të fundit ka gropa. Ata kërkojnë që ndërhyrjet të bëhen afatgjata dhe të mos lejohet degradimi i mëtejshëm i aksit pasi tashmë është kthyer në më të frekuentuarin përsa i përket lëvizjes drejt kryeqytetit.

  Probleme në këtë aks ka edhe në qendër të fshatit Fshat, ku deformimi i asfaltit është kthyer në burim aksidentesh.

Enver Doçi