ARRSH ndërhyn në rrugën mes dy doganave
Vetëm pasi problemi u bë mediatik, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kërkuar ndërhyrje në rrugën e tokës neutrale mes dy doganave, asaj të Ballatës në Shqipëri dhe Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.
Jo vetëm shtetasit e Maqedonisë së Veriut por edhe çdo vizitor tjetër që përdor doganën e Bllatës për të hyrë në vendin tonë përballej direkt me një pamje të shëmtuar që nis pikërisht aty ku është vendosur tabela “Republika e Shqipërisë”.
Janë jo më shumë se 300 m metra lineare rrugë e cila është në gjendje të degraduar dhe përgjegjësi e shtetit shqiptar.
Është dashur që gjendja e rrugës të denoncohej në media në mënyrë që autoritetet shqiptare të reagojnë dhe të ndërhyjnë duke mbushur gropat. Por edhe pse është bërë kjo ndërhyrje, ndryshimi me shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut është i dukshëm.
Zona neutrale mes dy pikave doganore që ndahet përgjysmë mes dy shteteve është impakti i parë me të cilin përballen të gjithë ata që lëvizin në drejtim të dy shteteve.