Rekamë

Institucionet e varësisë nga institucioni që drejtohet nga Belinda Balluku nuk heqin dorë nga procedurat e dyshimta të nënshkrimit të kontratave për punët publike.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lëshuar dorën ditët e fundit, duke shpallur fituesit në 3 prokurime me vlerë totale 4.7 miliardë lekë, ose rreth 41 milionë euro përmes procedurave që krijojnë hapësira për dyshime.

Mesa duket 40.3 milionë euro për Rrugën e Arbrit nuk mjaftojnë që ajo të përfundojë, edhe pse koncensionari në kontratën me shtetin nuk e ka përfshirë sistemimin e skarpateve të rrugës.

Për këtë, ARRSH ka shpenzuar 2.2 miliardë lekë të tjera për riparimin e skarpateve në dy segmente të kësaj rruge.

Kështu, tenderi i parë ka si objekt rregullimin e skarpateve në segmentin Ura e Vashës-Qafë Bualli me vlerë 1.1 miliardë lekë, ose rreth 10 milionë euro.

Në këtë prokurim fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “SELAMI” “COMPANY RIVIERA 2008” dhe “GARDEN LINE” të cilët kishin ofertën e dytë më të mirë, pasi kishin ofruar 436 mijë euro më shumë se bashkimi i operatorëve “CURRI” “BE – IS” dhe ERGI, të cilët janë skualifikuar nga gara.

Ndërkohë, kompania fituese ka kërkuar sa 97.9% të vlerës së tenderit për të kryer punën për 18 muaj që nga nënshkrimi i kontratës.

Tenderi i dytë është për rregullimin e skarpateve në segmentin tjetër të rrugës së Arbrit, tek Shkalla e Tujanit.

Vlera e këtij prokurimi është 1.1 miliardë lekë, ose rreth 9.6 milionë euro dhe në të kanë marrë pjesë 2 subjekte.

Por bashkimi i operatorëve “CURRI” “BE – IS” dhe ERGI kishte ofertën më të mirë janë skualifikuar nga gara dhe fituese është shpallur bashkimi i operatorëve “Ante-Group” “FERRO BETON” dhe kompania turke “BILGIN TAAHHUT INSAAT”, të cilët kishin ofruar 517 mijë euro më shumë.

Ndërkohë kompania fituese ka kërkuar sa 98.9% të vlerës së tenderit për të kryer punën për 18 muaj që nga nënshkrimi i kontratës.

Prokurimi tjetër i ARRSH është për zgjerimin e rrugës Elbasan- Qafë Thanë, faza 1, dhe vlera e tij është 2.4 miliardë lekë, ose rreth 21 milionë euro.

Fitues i këtij tenderi është shpallur “ALB-BUILDING” që kishte ofruar 2.3 milionë euro më shumë nga oferta e bërë nga bashkimi i operatorëve “4 A-M dhe G.P.G. COMPANY”, por që janë skualifikuar nga gara.