Rekamë

 Policia e Dibrës ka njoftuar se ka arrestuar një 52-vjeçar i cili ishte i dënuar me vendim të gjykatës së Dibrës për një vepër penale të kryer në vitin 2010. Pas 14 vitesh, blutë e Dibrës kanë bërë të mundur që, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, të vënë në pranga shtetasin Gëzim Boba.

Strukturat e Policisë të DVP Dibër, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Gëzim Boba, 52 vjeç, banues në Bulqizë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjthshëm Dibër, e ka dënuar me 8-muaj burgim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky shtetas në vitin 2010, teksa mbante detyrën e përgjegjësit të Zyrës së Urbanistikës në bashkinë Bulqizë, me veprimet e tij në kundërshtim me ligjin, ka vendosur dërgimin për miratim të dy kërkesave për leje ndërtimi, të kërkuara nga dy shtetas.