Arrestohet 41-vjeçari nga Bulqiza, prej ditësh në kërkim nga Interpol-i

0

Policia e Dibrës ka njoftuar sot se ka vënë në praga një 41-vjeçar nga Bulqiza, pasi ishte shpallur në kërkim nga shteti italian për tri vepra penale.

Arrestimi i 41-vjeçarit me iniciale K. K., banues në Bulqizë, është bërë në Pikën Kufitare të Bllatës me Maqedoninë e Veriut.

Policia bën të ditur se pak ditë më parë ai ishte shpallur në kërkim nga Interpol-i për shkak se Gjykata e Torinos / Itali, e kishte dënuar me 5 vjet e 5 muaj e 27 ditë burg, për kryerjen e veprave penale: “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Vjedhje” dhe “Kundërshtim i punonjësve në detyre shtetërore”.

Njoftimi i policisë:

Bllatë / Dibër

Kapet dhe ndalohet një 41-vjeçar, me qëllim ekstradimi drejt shtetit Italian.

Me datë 13.01.2021 nga Policia Kufitare Bllatë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Dibër, në P.K.K. Bllatë është bërë kapja dhe më pas edhe arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimin i shtetasit: K. K., 41 vjeç, banues në Bulqizë.

Arrestimi i përkohshëm u krye pasi INTERPOL Roma / Itali, më datë 07.01.2021 ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin shqiptar K. K., alias G. H., pasi Gjykata e Torinos / Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 5 muaj e 27 ditë burg për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Vjedhje” dhe “Kundërshtim i punonjësve në detyre shtetërore” (u është larguar me forcë Karabinierëve ne Torino), parashikuar nga nenet 624, 625 dhe 337 të Kodit Penal Italian, si dhe neni 73 i Ligjit nr.309/1990 “Për drogat”.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.