Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit pasi i riu lëvizte me lëndë eksplozivi me vete.
Shtetasi i arrestuar është Viktor Noka, 29 vjeç nga Dibra, banues në Sukth, Durrës.
Këtij shtetasi iu kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, të cilat ky shtetas do t’i shiste me çmimin 2000 euro.
Sipas policisë, shtetasi Viktor Noka, ka qenë i dënuar më herët për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Telekomanda”. Sekuestrohen 2 mina me telekomandë. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre, i cili do t’i shiste kundrejt fitimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, në bazë të informacione që dispononin se një shtetas lëvizte me lëndë eksplozivi me vete, organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Telekomanda”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: V.N., 29 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar shtetasin V. N. në afërsi të vendit të quajtur “Muzeumi” dhe gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, të cilat ky shtetas do t’i shiste me çmimin 2000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”, njofton policia.