Arrestime për vdekjen e minatorit në Bulqizë, nën akuzë tekniku dhe brigadieri i kopmanisë
Dy persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë, pas ngjarjes së rëndë të së mërkurës në Bulqizë, ku një minator humbi jetën brenda në galerinë e kromit.
38-vjeçari Kujtim Dangri, me detyrë armator, ishte duke punuar nën tokë kur një masiv gurësh është shembur nga tavani dhe e ka zënë poshtë.
Policia ka arrestuar brigadierin Gaspër Kola si dhe teknikun Behar Cami. Ata akuzohen se nuk kishin marrë masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë.
Ndërkohë, në gjendje të lirë është proceduar Remzi Pupla, me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.
Ky aksident përbën ngjarjen e katërt me pasoja fatale në minierat e Bulqizës dhe Klosit gjatë këtij viti.
Ndërkohë, aksidente me pasojë dëmtimin e punëtorëve të nëntokës janë të shpeshta në galeritë e kromit në Bulqizë. Ajo që vihet re në këto raste është heshtja e sindikatave që kanë për detyrën mbrojtjen e shëndetit dhe të interesave të minatorëve. Vetë minatorët janë të frikësuar të ngrenë zërin për të drejtat e tyre pasi druajnë se rrezikojnë vendet e punës, në një kohë kur nuk gjejnë as mbështetjen e sindikatave të minatorëve.