Rekamë

Këtë të premte është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të pajisjeve të dhuruara nga SHBA për Policinë e Shtetit, të cilat do të shërbejnë për kontrollin dhe mbikëqyrjen në pikat e kalimit kufitar. Në ceremoni kanë marrë pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Gjatë fjalës së saj, Kim është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe se pajisjet e dhuruara për Policinë e Shtetit synojnë që të rrisin rezultatet e Policisë së Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimeve ndërkufitare.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, ka deklaruar se Policia e Shtetit është renditur institucioni i parë më i besueshëm në vend teksa ka theksuar se para procesit zgjedhor policia do të jetë e orientuar në zbatim të ligjit.

“Policia e Shtetit është vlerësuar në mënyrë periodike gjatë viteve të fundit nga partnerët tanë si profesionale dhe e besueshme.

Së fundmi, nga anketimi i kryer me qytetarët nga Programi Suedez, Policia e Shtetit është renditur institucioni i parë më i besueshëm në vend. Ndërkohë, jemi të angazhuar dhe të vendosur për të luftuar pa kompromis dhe përkrah partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Ky angazhim është i përkthyer në dhjetëra operacione ndërkombëtare dhe kombëtare për goditjen dhe shkatërrimin e grupeve kriminale, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, për trafikimin dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore dhe migrantëve nga vendet e treta dhe për goditjen e krimeve ndërkufitare. Qëllimi ynë i vazhdueshëm ka qenë dhe mbetet mbi të gjitha konsolidimi i rendit dhe sigurisë dhe krijimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët. Me këtë rast, dëshiroj të nënvizoj se për vitin 2020 kemi numrin më të ulët të krimeve ndaj personit.

Tashmë jemi përpara procesit për zgjedhje të përgjithshme. Duke përfituar nga ky moment dua t’ju siguroj dhe garantoj juve e nderuar ambasadore, të gjithë partnerët dhe mbarë qytetarët e Shqipërisë se Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do jetë e orientuar vetëm në zbatimit të ligjit, me synimin për të përmirësuar më tej standardin pozitiv të arritur në zgjedhjet e mëparshme”, tha Veliu.