Apolonia e ka humbur shkëlqimin e javëve të para të kampionatit.
Përpos rezultateve zhgënjyese, bardhejeshilët kanë pësuar plot gjashtë gola në dy ndeshjet e fundit dhe kanë arritur të shënojnë vetëm një herë.
Dy humbjet radhazi e ulin me këmbë në tokë Apoloninë dhe e bëjnë të kuptojë se do ta ketë shumë të vështirë për të pretenduar ngjitjen në elitë.
Portieri Aldo Bushi, në një bisedë për “Panorama Sport” para ndeshjes me Burrelin, u shpreh:
“Të tregohem realist, nuk e kemi nisur në mënyrën më të mirë kampionatin.
Vetë pozicioni ynë në tabelën e renditjes është shumë larg pritshmërive. As në ëndrrën tonë më të keqe nuk e kishim menduar që do ishim në vendet e fundit të renditjes.
Kemi një ndeshje më pak, mirëpo do ta luajmë ndaj një rivali direkt si Skënderbeu. E konsideroj si një përballje të vërtetë pretendentësh.
Mendoj që ky pushim na shërbeu për të analizuar me kujdes ecurinë tonë të deritanishme. Jemi duke u stërvitur intensivisht dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur një rezultat pozitiv përballë Burrelit. E lehtë nuk do të jetë, por Apolonia hyn në fushë për të triumfuar”.