DURRES- Lulzim Berisha është “peshku “i dytë i madh që goditet nga Operacioni Forca e Ligjit, një ditë pas hyrjes në fuqi të paketës ‘Anti-KCK’. Në një deklaratë për mediat, OFL bën me dije se Lul Berishës i është dërguar tashmë formularin për deklarimin e burimit të pasurisë. OFL tha se Berisha është autor i një sërë veprash penale dhe se ka 48 orë kohë për të justifikuar pasurinë e tij. Lulzim Berisha sipas OFL është drejtues i një grupi kriminal, dhe akuzohet për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, informojmë opinionin publik se në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, subjekteve: – L. B., 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Adria”, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht.”-thuhet në deklaratën e OFL.
Paketa ‘Anti-KÇK’ hyri dje në fuqi dhe nisi punë me Altin Hajrin në Shijak dhe pasuritë e tij, ndërkohë që lista vijon me 200 subjekte të tjera për të cilët ka dyshime të forta se pasuria e tyre është ndërtuar me burim aktivitetin kriminal, brenda dhe jashtë vendit. 200 subjekteve do t’ju dorëzohet formulari i deklarimit dhe kanë kohë 48 orë për të provuar se pasuria e tyre është e ligjshme.
Janë 150 efektivë të Operacionit Forca e Ligjit, që janë shpërndarë tashmë në terren, dhe në bashkëpunim me 12 drejtoritë vendore të policisë që kanë hartuar listat dhe me SPAK, janë angazhuar për të siguruar zbatimin e paketës ‘Anti-KÇK’.