Ankohen drejtuesit e mjeteve për rrugën Ura e Fshatit – Shëngjun
Aksi nacional Klos – Qaf Buall është pjesë ende e rrugës nacionale Burrel – Skuraj por përdoret edhe nga banorët e dy fshatrave të Bashkisë së Klosit, Kloskatund e Shëngjun. Janë drejtuesit e mjeteve të këtyre dy fshatrave që ankohen për gjendjen e degraduar të segmentit në fshatin Kloskatund. Ata thonë se deformimet që ka pësuar rruga në këtë segment janë bërë të rrezikshme pasi po dëmtojnë automjetet e tyre sa herë kalojnë në të. Për drejtuesit e mjeteve mbushja e gropave nuk është zgjidhje pasi edhe ndërhyrjet e mëparshme në këtë mënyrë nuk kanë rezultuar efektive. Ata kërkojnë që rruga të rehabilitohet e gjitha bashkë me nënshtresat, pasi në të kundërt do të vijojë të dëmtohet deri sa të kthehet në e pakalueshme. Aski rrugor Klos-Qaf Buall veç lidhjes që bën me fshatrat Shëngjun e Kloskatund, është një artierie e rëndësishme për të mbajtur hapur qarkullimin e automjeteve nëse do të ketë probleme rruga e Arbrit.