Ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë Ivaylo Kirov zhvilloi një vizitë zyrtare në Bulqizë. Gjatë takimit me drejtuesit vendor, ambasadori Kirov vuri theksin në bashkëpunim të ndërsjelltë për projekte të përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të Bashkisë së Bulqizës. I pyetur në lidhje me situatën politike në vendin tonë, Ambasadori Kirov tha se nuk ishte në gjendje të komentonte për shkak se ka afro një muaj që ka marrë detyrën dhe nuk e njeh situatën në detaje. Po ashtu, ai u ndal edhe tek pakica bullgare që jeton në zonën e Bulqizës, kryesisht në Gollobordë. Fakti që banorët e kësaj zone janë pajisur me pasaporta Bullgare, për ambasadorin Kirov nuk do të thotë që ata duhet ta braktisin vendin ku janë lindur e rritur, ndërsa falenderoi në këtë rast shtetin shqiptar që ka pranuar se ka pakicë bullgare në Shqipëri.

Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla tha se vizita e ambasadorit Kirov i hap rrugë bashkëpunimit me institucionin që ai drejton në projekte të ndryshme.

Kjo ishte vizita e tij e parë në Bulqizë e ambasadorit të Bullgarisë.

Enver Doçi